“Dashuria që theu tabutë në vitet ‘70, si tentuan ta ndanin Bujar Lakon nga studentja e pianos”
Qiriu.net

lako1-350x300

Studiuesi dhe kritiku Josif Papagjoni ka studiuar në degën e dramës, në të njëjtin kurs, me aktorin Bujar Lako. Siç ishte e zakonshme të ndodhte, sidomos në një kurs me pak studentë, asokohe kishin marrëdhënie miqësore.

Të gjithë, studentë e pedagog, e kishin pikasur menjëherë talentin e mençurinë e aktorit që do të bëhej Bujar Lako. Këtë bindje të të gjithëve nuk arriti ta zhbëjë as zhurma e madhe që bëri në Institutin e Arteve, dashuria e tij me Mirën, pianisten studente, atë që, pavarësisht gjithçkaje, pak kohë më pas do të bëhej gruaja e tij! Papagjoni ka folur në këtë intervistë për të gjitha rolet që e kthyen Lakon në yllin e kinematografisë shqiptare, nga i pari që e luajti kur ishte ende student e deri atë të kohëve të fundit te “Syri Magjik”, ku mori çmimin më të madh që ka marrë ndonjëherë një aktor shqiptar. Largimi i papritur nga jeta i aktorit Bujar Lako bëri të flasin të paktën miqtë e njerëzit që e njihnin, sepse ai vetë nuk pranoi ta bëjë!

Madje, siç ka treguar edhe i biri, Bojken Lako, nuk ka pranuar të shohë ndonjëherë as filmat e tij! Sot që nuk është më, po e njohim Bujar Lakon pak më shumë, jo vetëm si njeriun që la shenjë në kinematografi, por edhe si njeriun që dikur theu tabutë, iu kundërvu të gjithëve për të mbrojtur hapur dashurinë! (intervista marre me shkurtime nga panorama)

Kur dhe në ç’rrethana jeni njohur me aktorin Bujar Lako? Me Bujar Lakon, në njëfarë sensi mallëngjyes për mua, kam qenë shok kursi në Institutin e Lartë të Arteve, në degën e dramës, për aktrim. Ai erdhi në vitin e tretë te ne, sepse dy vitet e para i bëri me një kurs tjetër. Pati pastaj një shkëputje të vogël, për një vit e ndërpreu studimin dhe në vitin e tretë iu bashkua kursit tonë me pedagog Kujtim Spahivoglin, që ishte një nga figurat më të mëdha të arteve. Qysh sa erdhi në kursin tonë, u kuptua menjëherë që Bujari ishte një aktor i mirë. Aktor nga më të mirët e atij kursi. Ne patëm edhe aktorë të tjerë që bënë emër, si Agim Qiriaqi, Fatos Sela, Piro Malaveci, Justina Aliaj etj.

Ju thoni që u dallua menjëherë… si dallohet menjëherë një student aktrimi, pa u provuar ende në shfaqje, që do të bëhet aktor shumë i mirë?

Dallohet, sepse Bujari menjëherë erdhi në stekën e lartë të studentëve. Tiparet e një studenti të mirë dallohen, ndoshta jo që në vitin e parë, por më pas, në vitin e tretë, p.sh., kur fillojnë të punojnë me pjesë të plota. Atëherë studenti gjendet përballë vështrimit të figurës në tonalitetin e saj, nuk e shikon më të copëzuar, siç e shikon në etyde apo në fragmente. Kur fillon e shihet e plotë, kur krijon marrëdhënie edhe me të tjerët… Në këtë moment spikat aftësia e artistit, brenda profilit që ai ka, qoftë në planin psikologjik, qoftë në atë fizik, gjestual, përshtat plastikën me figurën. Bujari nuk ishte aktor i karaktereve, u kuptua menjëherë, ishte aktor i planit psikologjik, e mbante frazën brenda, e bluante në heshtje mendimin, kishte heshtje të bukura.

Ç’marrëdhënie vijuat të keni me të pas studimeve?

Nuk kam pasur marrëdhënie miqësore. Kur ishim studentë po, por më pas unë ndoqa kritikën. Jam gëzuar sa herë dëgjoja që ecte përpara. Ka pasur më shumë miqësi me Agim Qirjaqin. Mirëpo me shokët e klasës, edhe kur mbaron kursin, ruan një respekt dhe një dashuri për të gjithë, megjithëse shkëputesh. Unë i shihja nga larg si njerëz të dashur. Aktorët e filmit ishin përgjithësisht gjithë kohës në lëvizje dhe nuk i ndeshje aq shpesh, krijonin marrëdhënie me njëri­tjetrin, sepse kështu ishte normale të ndodhte. Kohët e fundit u takuam më shpesh, pinim kafe, pastaj së fundmi na ka takuar edhe Facebook­u, sepse ju e dini që edhe kur pleqëria afrohet, rritet respekti e nevoja për të folur me të tjerët.

Me këtë që thoni, a duhet të kuptojmë që edhe Bujari ishte “zbutur” pak?

Shiko, ai ishte njeri i mirë, pavarësisht ndonjë tipari të karakterit të tij. Për herë të fundit i kam takuar bashkë me të shoqen në Gjilan, ata kanë pasur edhe një histori të bukur dashurie që në vitet e shkollës.

Si ka qenë historia tyre e dashurisë?

Ka qenë nga më emancipueset për kohën. Gruaja e tij, atëherë studente, ishte pianiste dhe ranë në dashuri që në Institutin e Arteve. Familja e saj vinte nga hierarkia e lartë e pushtetit, ndërsa Bujari ishte nga një familje e thjeshtë, mirëpo dashuria ishte shumë e fortë. Ajo ka bërë një mbrojtje të jashtëzakonshme të dashurisë, bashkë me Bujarin, por më tepër shihej si meritë e saj, sepse familja e saj nuk pranonte. Dhe, ndër të tjera, të vepronte vajza aq hapur, në vitet ’70, nuk ishte pak. U bë një diskutim atëherë, nga ato diskutimet mizerje që bëheshin për të linçuar njerëzit. U mblodh gjithë Instituti i Arteve për të gjykuar e vendosur mbi dashurinë e tyre.

Pse? Çfarë u diskutua konkretisht?

Duhet të godisnim dashurinë e duke anatemuar Bujarin si të përdalë. Mirëpo qëllimi ishte i qartë dhe justifikimi do të gjendej, në mos ky, një tjetër.

Në fakt, a kishte treguar shenja si i tillë?

Absolutisht jo, ishte mjaft i përmbajtur dhe së paku kur ishte student ata ishin të dashuruar dhe e shikonin njëritjetrin në sy, këtë mund ta them me bindje. Kishte marrë fund ajo punë! Donin t’i ndanin për shkaqe biografike. Kuptohet që ndërhyrja ishte e njëanshme, vetëm nga familja e së shoqes, ishte vajza e një njeriu me pozitë. Instituti vetë kishte prirjen ta kthente në shembull e t’i ndante, ndoshta i ndikuar pikërisht nga pozitat e babait të vajzës. Duke i ndarë, donin të tregonin që ky ishte vagabond, por përpjekja dështoi. Të dy e mbrojtjen dashurinë me thonj, haptazi… Ishte një akt emancipues në shoqëri, sepse për herë të parë dashuria mbrohej hapur kundër disa imponimeve e klisheve të kohës. Thuajse në çdo rast, në atë kohë, dashuritë ishin shumë të mbyllura dhe niseshin nga biografitë. Dashuria e tyre theu klishetë e gjithë opinionit, edhe të vetë studentëve të indoktrinuar dhe të të gjithë ekipit pedagogjik që e kritikonte vazhdimisht për ta nxirë, për ta paraqitur si vagabond. Fakti është që ajo dashuri rezistoi…

Kulturë
Temat
Bankë
Derbi
Lajme
Moti
Vjedhja