Robert Ndrenika mbush 75-vjeç, Pëllumb Kulla i shkruan ato që s’ia ka thënë kurrë

Regjisori Pëllumb Kulla i është drejtuar sot me një mesazh shumë të veçantë aktorit të madh Robert Ndrenika, në 75-vjetorin e lindjes.

Me një postim në faqen e tij në FB, Kulla i shkruan aktorit të qindra roleve në kinema e teatër, ato që nuk ia ka thënë kurrë përballë.

Mesazhi i Pëllumb Kullës

ROBERT NDRENIKA SHËNON SOT 75!
Edhe ju më të rinjtë do të vinit te 75-at!
Berti i dashur, ta uroj këtë ditë të shënuar. Ti, i shtrenjti Bert, meriton që sot, veç e veç, tok e tok, shtëpi më shtëpi, studjo më studjo, auditor më auditor, njerëzit të trokasin gotat me mendjen tek vitet e tua gjurmëlënës në skenat dhe ekranet e shqiptarëve.

Me ty, o shoku im i klasës dhe i shkollës, o miku im i vjetër, kemi kaluar bashkë një pjesë të mirë të këtyre viteve. 

Kemi biseduar dhe kemi qarë halle, jemi tallur e kemi ngacmuar njëri tjetrin, por kurrë unë nuk jam ndalur e nuk të kam thënë atë që do të të them pikërisht sot.

Atë që, ti i dashuri im, je një artist i madh, nga ata të ndriturit, nga ata që skenës dhe ekranit i vijnë rrallë, shumë rrallë. Ti je nga ajo racë aktorësh që të zbukurojnë jetën dhe që i japin pavdekshmëri teatrit. asaj loje magjepsëse ku njerëzit qeshin e qajnë për ca realitete të sajuara bukur.

Ti, Bert, je nga ata aktorë të paktë që janë mjeshtra dhe në ndërtimin e figurave komike, dhe po aq mbresëlënës me karakteret dramatikë.

Ti ke bërë aq shumë sa njerëzve kur u flitet për teatrin, mëndja u shkon vetëm tek artistë si ti.
Paç jetë të gjatë mes familjarëve të tu, mes miqve të tu dhe u shtoftë edhe më tej magjia e artit tënd!

Showbiz
Temat
"Çadra e Lirisë"
Atentat në Londër
Champions League
Moti
Reforma në drejtësi
Shqipëri- Itali
Tahiri