Debati për filmat e komunizmit/ Kadare: E patolerueshme të shihen sot ato filma

Shkrimtari Ismail Kadare bëhet pjesë e debatit për filmat e realizuar gjatë regjimit komunist, duke u pozicionuar në mbështetje të zërave që kërkojnë ndalimin e transmetimit të tyre në ditët e sotme. Mendimin e tij e ka dhënë gjatë një bashkëbisedimi me lexues në teatrin e “Klan Kosova”. Sipas Kadaresë, është e patolerueshme që sot e kësaj dite të vazhdojnë të shfaqen filma, ku spiunimi konsiderohet vlerë.

Kadare-550x413

Mes shumë pyetjesh që të pranishmit i drejtuan kandidatit për Çmimin “Nobel”, u shpreh interes edhe për mendimin që ka ai kundrejt debatit mbi kufizimin e shfaqjes së filmave të realizuar para viteve ’90.

“Është krejtësisht e pahijshme, e pamoralshme, e patolerueshme, që spektatori shqiptar t’i shohë sot ata filma, ku ka personazhe, fëmijë që spiunojnë në favor të regjimit”, u shpreh Kadare.

Më tej ai tha: “Sektori i kinematografisë ishte më i kontrolluari, më në shërbim të propagandës së regjimit komunist. Mjerisht ata që ishin kineastë, regjisorë, skenaristë,operatorë, megjithëse shkuan në shkolla të mira lindore, të mëkuar me modele nënash të ashpra, baballarësh komunistë, u kthyen dogmatikë dhe produktet e tyre janë të egër, pa lirizëm. Shikoni një film nga të paktët e periudhës komuniste që ka një skenë lirike: është një prift që don të përdhunojë një murgeshë të hijshme ! E imagjinoni çfarë absurdi ? Në filmat tanë nuk kishte humanizëm, nuk kishte histori dashurie, por kishte egërsi. Imagjinoni dhe në filmat për fëmijë, kishte mësime si të ishin vigjilentë, si të raportonin për armikun e klasës. Dogma e armikut të klasës ishte dominante”.

Përpara viteve ’90, janë realizuar disa filma me skenarë të mbështetur në romanet e shkrimtarit (“Radiostacioni”, “Ballë për ballë”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Të paftuarit”), por asnjë prej tyre nuk ka arritur të përcjellë forcën e veprës së Kadaresë.

Temat
"Çadra e Lirisë"
Big Brother
Champions League
Françesk Radi
Fushatë
Galaxy s8
Moti