Të diskriminuarit që diskriminojnë

Ardian-Muhaj

Nga Ardian Muhaj* 

Diskriminim asht trajtimi apo veçimi i dikujt duke u mbështetë në cilësitë e grupit, shtresës apo kategorisë shoqnore së cilës supozohet se i përket ai person dhe jo në cilësitë e vetë personit. Shikuar në këtë prizëm shoqnia shqiptare në të gjitha anët e kufijve asht nji shoqni thellësisht diskriminuese, që pikërisht për faktin se asht edhe e pafuqishme për të diskriminue tjetërkënd veç vetes, rezulton të jetë nji shoqni që nuk diskriminon kënd jashtë vetes apo shoqni vetëdiskriminuese. Përfaqësitë europiane bajnë sikur nuk shohin kur i vetmi shqetësim i tyne në këtë det diskriminimi shoqnor përqendrohet te nji lugë ujë e diskriminimit ndaj beniaminëve të tyne, LGBT. E pra, diskriminimi në shoqninë shqiptare asht shumëfish ma i gjanë, ma i thellë dhe ma tragjik se sa ai ndaj nji grushti njerëzish. Nëse nuk e shohin bajnë mirë me e pa.

Disa eksponentë të opozitës me të drejtë kanë vu në dukje diskriminimin që i bahet pjesës veriore të shtetit shqiptar. Rasti ma flagrant asht mbajtja mbyll e aeroportit të Kukësit, tash dy dekada. Natyrisht justifikimi asht në tryezë, por jo arsyeja. Monopoli i aeroportit të Rinasit do të ishte rinegociue sikur aeroporti i Kukësit të kish ndodhë rastësisht në Gjirokastër. Mirëpo, këta eksponentë të opozitës ndërsa kritikojnë me të drejtë pozitën e sotme, nuk e mbajnë mend fare se të njëjtën politikë e kanë ndjekë edhe ata. Njëra e diskriminon “veriun” për t’i ba qejfin “jugut”, tjetra për t’i qa hallin. Rezultati asht i njëjtë: moszhvillim as i “veriut” as i “jugut”.

Në këtë gjerdan perlash diskriminimi, rasti i Shkodrës asht ma interesanti. Ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës mundohen me ia ngjeshë qeverisë aktuale edhe neglizhencën e tyne gjatë gjithë atyne viteve që i kishin të gjitha pushtetet në dorë, nuk përtojnë asnjiherë me vu në dukje neglizhencën e kundërshtarëve të tyne politikë. Por për habinë tonë të madhe pikërisht ata që me të drejtë përputhen sa herë përmendet emri “malok” nga minifashistët e llojllojshëm të shoqnisë sonë, të njëjtëve nuk u vjen pikë marre kur fajësojnë katundarinë për krizën e qytetarisë së Shkodrës. Minifashizmi si duket, u duket minifashion!

Rasti ma i fundit, që në fakt duket i pabesueshëm por asht i vërtetë, asht rasti i freskët i njërës nga figurat e larta të opozitës, që për ma tepër edhe ka drejtue autoritetin ma të lartë shtetëror mbikëqyrës për mediat, e cila për të përshkrue vizitën e kryeministrit në këtë qytet, përdor tri epitete që simbas saj janë të barasvlershme, duke e quajt “shfaqje injorance, katundarie dhe arrogance”!

Nga ana tjetër, për inerci e mendjengushtësi edhe pse jemi të diskriminuarit e shekullit, diskriminojmë kur na teket edhe të huajt. Kryeministri aktual e hapi siparin e listës së gjatë të diskriminimit me nji letër zyrtare që ua dërgoi anëtarëve të kabinetit të sapoformuar, duke i paralajmërue që të mos baheshin anatolikë apo anadollakë, pra sikur 60 milionë njerëz që jetojnë në gadishullin e Anatolisë apo Anadollit, që ndryshe quhet edhe Lindja e Afërt. Justifikimi humoristik se kjo fjalë asht përdorë me këtë e atë kuptim nuk e ban asnji grimë ma pak diskriminues. Askush nuk bëzani se të gjithëve duket u pëlqeu. Edhe ambasadorëve që i mbajnë veshët pinzë përpjetë për gjithçka, nuk u bani përshtypje. Nuk u bani përshtypje as shoqatarëve të shoqnisë civile kur nji televizion mbarëkombëtar (TCH) në edicionin kryesor të lajmeve dha nji lajm me përmbajtje thellësisht raciste. Ndeshjen e ekipit tonë kombëtar në nji stadium të Siçilisë e quante “ndeshje me mafiozët”. Pra, për tv tëçënë, 5 milionë siçilianë na qenkan mafiozë, madje edhe laureatët e çmimit Nobel në letërsi Luigi Pirandello e Salvatore Quasimodo. Madje, madje edhe Giovanni Falkone e Paolo Borsellino, heronjtë e luftës kundër mafies na qenkan mafiozë, sepse ishin siçilianë!

Në shoqninë tonë diskriminohen në media, haptas e pa pikë turpi, myslimanët, gratë, gegët, romët, vllehët, gjirokastritët, “kosovarët”, katundarët, të moshuarit, të aksidentuarit, të ndryshaftët, për të mos përmendë anadollasit, siçilianët etj. Gegofobia asht shkaku kryesor pse fjalori i gjuhës së sotme shqipe nuk përditësohet siç bahet me gjuhët e gjithë botës. Ma lehtë pranohet nji fjalë e huaj në procesin e natyrshëm të zgjerimit të fjalorit të gjuhës se sa nji fjalë e fondit të pasur të gegnishtes.

Kjo pandemi diskriminimi ndaj njëri-tjetrit që na ka mbërthye, asht edhe ma e randë e ma shkatërrimtare po të mendojmë se pikërisht ne në përgjithësi si shoqëri shqiptare, si qytetarë shqiptarë, kudo qofshim jemi objekt diskriminimi nga të tjerët. Mjafton të shëtisësh në rrugët e Shkupit vetëm disa orë dhe të shohësh diskriminimin e qartë që përjetojnë shqiptarët që jetojnë në pjesën ma të vjetër të Shkupit. Mjafton gjysmë ore rrugëtim nga Struga në Ohër me e pa diskriminimin ndaj shqiptarëve, dallimin mes Ohrit të mirëmbajtur dhe Strugës së mezimbajtur. Mjafton të mendosh se qytetarët e Kosovës janë të vetmit në krejt Europën të cilët nuk mund të lëvizin pa viza në Shengen, por nga ana tjetër nuk ua vret syrin diskriminimi i pastër i moslejimit të ndërtimit të një xhamie katedrale, apo qendrore, në një vend ku tashmë ekzistojnë dy kisha katedrale. Pastaj ankohemi se rinia radikalizohet kur në vend që të mblidhen në nji xhami qendrore i detyrojmë të kryejnë ritet fetare në skuta rrugicash labirintike.

Mjafton të shohësh se qytetarët e Shqipërisë nuk mund të kenë anije, barka e skafe për të shiju dy detet ma të bukura të Mesdheut. U lejohet vetëm të lagin këmbët në dimër e të lajnë trupin në verë. Mjafton të kujtosh përpjekjen e shqiptarëve nën Mal të Zi për të pasë Tuzin komunë, siç e kanë të gjitha qendrat me madhësi të ngjashme e ma të vogël, për ta kuptue këtë. Mjafton me pa diferencën mes Ulqinit të mbajtur nga xhepat e vizitorëve nga Kosova, me Barin, Budvën, Kotorrin e Hercegovinën e mbajtur nga buxheti i Podgoricës. Mjafton të ndalosh në nji nga fshatrat margaritarë të Çamërisë, për të pa diskriminimin që i bahet gjithçkaje shqiptare e madje edhe ish-shqiptare. Apo të gjezdisësh pak nëpër sheshet e rrugët e Athinës me pa se sa me krenari e serbes flasin e bërtasin urdu pakistanezët e sa trimëri asht të flasësh shqip nëpër autobusët apo metronë e kryeqytetit helen.

Diskriminimi asht varfni. Jo thjesht varfnon të diskriminuarit, por po aq edhe diskriminuesit. Diskriminimi i “veriut” nuk e ban ma të pasun “jugun”, diskriminimi i “malokëve” nuk i ban ma të zotë fushokët, diskriminimi i fshatarëve nuk i civilizon ma shumë qytetarët, diskriminimi i gegnishtes nuk e ban ma të pasur shqipen, diskriminimi i grave nuk i ban ma burra burrat, diskriminimi i romëve nuk ua zbardh faqen e zezë të bardhëve që i diskriminojnë. Barsoletat bajate me gjirokastritë koprracë nuk i ban rrëfimtarët, as dëgjuesit asnji gram ma bujarë.

Diskriminimi asht humbje shoqnore dhe katastrofë ekonomike. Nji grup që diskriminon të tjerët kur ka fuqi, duhet të presë që të tjerët t’ia kthejnë monedhën në të njëjtën mënyrë kur të mos ketë aq fuqi. Për shkak të diskriminimit shoqnia përfshihet në rrethin vicioz të hakmarrjes e revanshit, në vend që të përfshihet aktivisht në procesin e zhvillimit e përparimit.

Nji nga arsyet e mbijetesës së institucionit të skllavërisë përgjatë historisë njerëzore asht se skllevërit kishin nji andërr të vetme: jo me u liru prej zgjedhës së skllavërisë bashkë me bashkëvuajtësit e tyne, por me u ba edhe ata si padronët e tyne, skllavopronarë.

Në mungesë të nji kuadri të përshtatshëm ligjor, në mungesë të nji drejtësie shtetnore e shoqnore vepruese, nuk ka nji formulë magjike që të na shërbejë si udhërrëfyes në dallimin e shmangien e shtresëzimeve të ndërlikuara të diskriminimeve që e kanë pllakosë këtë shoqni. Megjithatë, duhet thanë se rregulli i artë asht që, në se mundesh mos i shaj kujt asgja. Nëse të duhet, atëherë shaji gjithnji punën, kurrë, ama kurrë gunën!

*Historian, Instituti i Historisë

Opinion
Temat
"Çadra e Lirisë"
Big Brother
Champions League
Françesk Radi
Fushatë
Galaxy s8
Moti