Çfarë ka ndodhur më 5 shtator ?

nenterez

1997 – Vdes Nënë Tereza

Shëndeti i Shenjtores shqiptare, u përkeqësua gradualisht pas vitit 1983, kur pësoi një atak kardiak në Romë, gjatë kohës që po takohej në Vatikan me Papa Gjon Palin II. Pas një sulmi të dytë në zemër në vitin 1989, ajo përdorte një stimulues artificial. Në vitin 1991, kur u sëmur nga pneumonia teksa ndodhej në Meksikë, Nënë Tereza filloi të kishte probleme të tjera me zemrën. Ajo kërkoi të japë dorëheqjen nga drejtimi i Misionareve të Bamirësisë. Por murgeshat e urdhrit, pas një votimi të fshehtë, vendosën që ajo të vazhdonte të qëndronte në krye të misionit, dhe vetë Nënë Tereza respektoi vullnetin e tyre.

Në prillin e vitit 1996, ajo rrëzohet aksidentalisht dhe thyen kockën e legenit. Në gushtin e po atij viti sëmuret nga malaria, si dhe pësoi një dëmtim të ventrikulit të majtë të zemrës, për të cilin iu nënshtrua një operacioni. Pikërisht në këtë kohë, mori vendimin e diskutueshëm për t’u trajtuar në një spital të pajisur mirë në Kaliforni të SHBA, në vend të ndonjërës prej klinikave të hapura nga ajo vetë.

Thuhet se Kryepeshkopi i Kalkutës, Henry Sebastian D’Souza, urdhëroi një prift të kryente një seancë ekzorcizmi mbi Nënë Terezën me lejen e saj të fundit, kur gjendej e shtruar për herë të parë në spital me probleme kardiake, pasi mendonte se mund të ishte nën sulmin e Djallit.

Më 13 mars 1997, largohet nga kreu i Misionarëve të Bamirësisë, ndërsa ndërroi jetë më 5 shtator të po atij viti. Për më shumë se gjysmë shekulli, Nënë Tereza ndihmoi të varfërit në Indi dhe mbarë botën. Në momentin e vdekjes, misioni i ngritur prej saj kishte mbi 4.000 motra, që operonin në 610 misione në 123 shtete të botës.

1972 – Njëmbëdhjetë atletë izraelitë, vriten në Mynih gjatë Lojërave Olimpike

Masakra e Mynihut, është një emri jozyrtar i ngjarjes së ndodhur gjatë Olimpiadës Verore të vitit 1972 në Mynih të Gjermanisë Perëndimore, kur anëtarët e ekipit olimpik izraelit u morën peng dhe më pas u vranë nga komandot e “Shtatorit të zi”, një grupim militant palestinez, që kishte lidhje me organizatën Fatah të Jaser Arafatit.

Deri në fund të përplasjes me armë me forcat gjermane të sigurisë, grupi terrorist vrau 11 atletë izraelitë dhe trajnerët e tyre, si dhe një oficer policie të Gjermanisë Perëndimore. Ndërkohë 5 nga 8 anëtarët e “Shtatorit të Zi” u vranë nga policia gjatë përpjekjejes së dështuar për t’u arratisur.

Tre terroristët e mbijetuar, u kapën dhe u liruan më vonë nga Gjermania Perëndimore, pikërisht pas rrëmbimit të një avioni të kompanisë Lufthansa nga ana e organizatës terroriste, një akt që çoi në spekulime se Boni zyrtar kishte ndihmuar në fakt rrëmbimin e sportistëve izraelitë. Izraeli iu kundërpërgjigj masakrës me operacionet “Pranvera e të Rinjve” dhe “Zemërimi i Perëndisë”, me një seri sulmesh dhe vrasjesh të atyre që dyshoheshin se kishin planifikuar masakrën e Mynihut.

1882 – Parada e parë e Ditës së Punës

Më 5 shtator 1882, rreth 10.000 punëtorë u mblodhën në Nju Jork për të marrë pjesë në paradën e parë të Ditës së Punës në SHBA. Pas marshimit nga City Hall, punëtorët dhe familjet e tyre u mblodhën në Ëendel Elm Park për një piknik, koncert dhe fjalime. Ende sot ka debate, se kush është autori origjinal i idesë së një dite përkujtimore për punëtorët.

1945 – Igor Gouzenko tradhton Bashkimin Sovjetik për Perëndimin

Igor Sergeyevich Gouzenko, ishte një nëpunës i kodimit të mesazheve në Ambasadën Sovjetike në Otava të Kanadasë. Ai dezertoi më 5 shtator 1945, duke i dhënë amerikanëve mbi 109 dokumente mbi aktivitetet e spiunazhit sovjetik në Perëndim. Tradhtia e Gouzenkos, zbuloi përpjekjet e Josif Stalinit për të vjedhur sekretet bërthamore dhe teknikën e panjohur të ‘mbjelljes’ së agjentëve të fjetur. “Çështja Gouzenko”, konsiderohet shpesh si ngjarja që shkaktoi nisjen e Luftës së Ftohtë.

1946 – Lind lideri i grupit të famshëm muzikor “Queen”, Freddie Mercury

Muzikanti britanik Freddie Mercury (i lindur në Farrokh Bulsara) (5 shtator 1946 – 24 nëntor 1991), ka qenë i njohur si vokalisti kryesor i grupit të mirënjohur të rrymës “Queen”. Si interpretues, Mercury qe i spikatur për aftësitë e tij vokale, dhe performancat e shkëlqyera skenike. Si kompozitor, kompozoi shumë hite ndërkombëtare, përfshirë “Bohemian Rhapsody”, “Killer Queen”, ”Somebody to Love”, “Don’t Stop Me Now”, “Crazy Little Thing Called Love”, and “We Are the Champions”. Në drejtimin e tij, “Queen” shitën me shumë se 300 milionë kopje të albumeve të tyre në mbarë botën.

1975 – Lynnette Fromm përpiqet të vrasë presidentin amerikan Gerald Ford

Presidenti Gerald Ford, u përball me dy atentate që i rrezikuan seriozisht jetën gjatë presidencës së tij, dhe që ndodhën brenda 3 javëve njëra nga tjetra. Ndërsa gjendej në Sakramento të Kalifornisë më 5 shtator 1975, Lynette Fromm, një ithtare e satanistit Charles Manson, nxorri nga çanya një pistoletë të tipit “Colt” Kalibër 45 dhe e drejtoi ndaj presidentit amerikan. Teksa po tërhiqte këmbëzën, agjenti i Shërbimit Sekret, Larry Buendorf, ia rrëmbeu pistoletën nga dora, duke mos lejuar që arma të qëllonte. Fromm u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Kuriozitete
Temat
"Çadra e Lirisë"
Big Brother
Champions League
Françesk Radi
Fushatë
Galaxy s8
Moti